Partizani ngelet në Ballsh

Bylisi dhuron surprizën në javën e 17-të të kampionatit Abissnet Superiore, pasi ka mposhtur 2-1 Partizanin në “Adush Muça”. Të besuarit e Nevil Dedes marrin një trepikësh të artë dhe pas këtij suksesi i largohen vendit të fundit në klasifikim (kalojnë Skënderbeun), pasi ngjiten në kuotën e 16 pikëve.

Partizani pa Veselinoviç në stol (i ndëshkuar me karton të kuq një javë më parë) “dorëzohet” në Ballsh, pëson humbje e dytë sezonale dhe detyrohet ti lëshojë kreun e renditjes Egnatias. Vendasit nisin shumë mirë ndeshjen, janë më kërkues dhe tregojnë se duan të marrin maksimumin në këtë takim. Sfida zhbllokohet nga një “perlë” e Mario Gjatës, që shënon një gol shumë të bukur dhe kalon Bylisin në avantazh. Partizani nuk arrin të reagojë dhe në minutat shtesë të pjesës së parë ballshiotët dyfishojnë shifrat me Kamara, që finalizon një aksion shumë të bukur të vendasve.

Partizani reagon në pjesën e dytë dhe ngushton shifrat me Kekon. Pas verifikimit në VAR goli akordohet dhe rihapet takimi. Miqtë luajnë më mirë në pjesën e dytë dhe sulmojnë në kërkim të golit të barazimit, por Bylisi mbrehet mirë dhe mundohet që të godasë në kundërsulm. Pavarësisht përpjekjeve nga të dy kampet, në minutat e mbetura rezultati i ndeshjes nuk ndryshon. Mbyllet 2-1 për Bylisin, që pas këtij suksesi parakalon Skënderbeun në renditje dhe ngjitet në vendin e 9-të në kuoptën e 16 pikëve. Partizani mbetet 29 pikë dhe detyrohet që ti dorëzojë kreun Egnatias, që kryeson kampionatin e vetme me 30 pikë.

sfidanti.al