Partizani pret Vllaznisë në “Arenën e Demave”, të shtunën e datës katër prill. Një sfidë ku të kuqtë do të synojnë që të rikthehen te tre pikët pas dy barazimeve radhazi në këtë start të fazës së katërt. Kjo ndeshje merr një rëndësi të veçantë pasi falë formulës së përgjysmimit të pikëve në “Final Four”, edhe Partizani mund të futet në “vallen” e titullit, e sigurisht duke mposhtur një rival të drejtpërdrejtë si shkodranët, atëherë asgjë nuk mund t’i mohonte pretendimet e kryeqytetasve për t’u shpallur kampionë në fundin e sezonit.
Ndërkohë, Dumbia nuk do të jetë i vetmi që do të rikthehet ndaj Vllaznisë. Kjo pasi edhe trajneri Oltijon Kërnaja do të mund të udhëheqë skuadrën si gjithnjë nga pankina. Kujtojmë se trajneri 37-vjeçar u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen ndaj Vorës dhe plotësoi numrin katër të tyre duke qëndruar në tribunë për takimin me Teutën. Por, tashmë Kërnaja ka shlyer pezullimin dhe do të jetë pranë skuadrës për ta udhëzuar dhe drejtuar në një triumf që siç e përmendëm më lart, mund të jetë shumë i rëndësishëm për fatet e sezonit te Partizani.

