Papa Leone XIV është tifoz i verdhekuqve: Forza Roma!

Lajmi që qarkullonte prej ditësh mori më në fund konfirmim zyrtar: Papa Leone XIV, me emrin civil Robert Francis Prevost, është tifoz i skuadrës së Romës. Pas shumë spekulimeve që nisën menjëherë pas “tymit të bardhë” në Vatikan, vetë Ati i Shenjtë vendosi të shuajë çdo dyshim. Gjatë një ndalese të shkurtër sot në shenjtëroren e Genazzano-s, papa u përshëndet nga disa qytetarë dhe një tifoz i Romës i drejtoi një thirrje për mbështetje. Përgjigjja e papës ishte e shkurtër, por e qartë: “Forza Roma!” Ky deklarim vjen si një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe me tone humori ndaj trajnerit legjendar, Claudio Ranieri, i cili kohët e fundit ishte pyetur për thashethemet mbi prirjet futbollistike të papës. “Duhet parë nëse është e vërtetë,” kishte thënë Ranieri me të qeshur në një konferencë për shtypin, pasi shumë kishin vënë re ngjashmërinë fizike mes tij dhe Papa Leone XIV. Përveçse adhurues i futbollit, Papa Prevost ka një të kaluar modeste si tenist amator, por duket se zemrën sportive ia ka falur skuadrës verdhekuqe të kryeqytetit italian. Tashmë, Roma jo vetëm që ka në tribunë mbështetësit e saj të zjarrtë, por edhe një tifoz të veçantë në Vatikan.

sfidanti.al