Odise Roshi i dërgon “selam” Silvinjos me gol dhe asist në Turqi!

E nisi dhe e përfundoi gjithçka vetë. Odise Roshi ishte protagonist i rëndësishëm në Ligën e Parë të Turqisë, duke u treguar vendimtar në fitore. Futbollisti shqiptar i krahut realizoi një gol dhe shërbeu një asist në suksesin 2-1 të Sakariasporit ndaj Bodrumsporit. Fillimisht, ai kaloi vendasit në epërsi në 43’ me një aksion ku ishte aktiv që në nisje e deri në finalizim. Pranë fundit, ishte sërish klasi i Roshit që i siguroi fitoren Sakariasporit duke shërbyer pasimin për Bylent Uzun. Përveç rrjetës dhe asistit, lojtari 31-vjeçar u tregua shpesh i rrezikshëm e padyshim që ishte më i miri në këtë sfidë.

Gjithsesi, forma e mirë në Turqi nuk e ndihmoi këtë herë që të merrte një ftesë nga trajneri i kombëtares, Silvinjo, ndërsa dihet se jashtë ekipit e la skema 3-5-2 që praktikonte Edi Reja. Megjithatë, Roshi është i kënaqur edhe me atë që po bën në Turqi, duke qenë pranë Superligës. Sakariaspori është në vendin e 6-të në renditjen e Ligës së Parë, por shumë pranë vendit të tretë, që të jep mundësi të luash në plej ofin final për t’u ngjitur në elitë. Gjithsesi, edhe me pozicionin aktual skuadra e Roshit ka mundësi të konkurrojë në plej ofin çerekfinal, ndonëse rruga do të ishte më e gjatë.

Sfidanti.al