Një Armando tjetër spikat në Angli, Dobra refuzon Atalantën për Ipsuiçin!

Një tjetër Armando mund të shkëlqejë në Angli. Mbiemri i tij është Dobra, është 19 vjeç, po aq sa Broja i Çelsit, veçse për momentin ndodhet në një ligë më të ulët. Mesfushori sulmues është pjesë e Ipsuiç Taunit në kategorinë e tretë në Angli, veçse ka tërhequr vëmendjen e klubeve shumë më të rëndësishëm, të paktën për momentin. Nga Italia, mësohet se atë e kërkoi Atalanta e trajnerit Gasperini, skuadra e mbrojtësit të kombëtares, Berat Gjimshiti, dhe që ka arritur në çerekfinale të Championsit. Përveç bergamaskëve, e donin edhe Lids Junajtidi, emër i shquar në Angli, si dhe klubi tjetër anglez, Sauthempton. Gjithsesi, Dobra i refuzoi këto “uvertura” dhe vendosi të rinovonte me Ipsuiçin. Ai u shpreh se “nëse trajneri më thotë se jam gati për të luajtur, atëherë do të luaj, unë i besoj”.

Ipsuiçi vërtet sot është në kategorinë e tretë, por ka qenë emër i njohur në vitet 70-80-të. Nën drejtimin e trajnerit të shquar Bobi Robson fitoi Kupën UEFA në 1981 dhe Kupën e Anglisë në 1978. Sa për Dobrën, ai do të jetë shpejt pjesë e kombëtares shqiptare, pasi luajti për Shqipërinë U19, ndërsa u bë pjesë e Shqipërisë U21 në ndeshjen eleminatore të Europianit ndaj Kosovës vitin e kaluar.

Sfidanti.al