Në ndeshjen Itali-Shqipëri do të bëjë drejtësi arbitri gjerman Felix Zwayer, një emër i njohur edhe për kronikën e zezë pasi në vitin 2004 ai ishte protagonist në një ngjarje që e njollosi jo pak figurën e tij dhe Federata Gjermane e mbajti të fshehur për disa kohë. Ai u përfshi në një skandal për trukimin e ndeshjeve. Ai bashkë me kolegun Robert Hoyzer pranuan rreth 300 euro në vitin 2004 për të favorizuar skuadrën e Wuppertal SV. Zwayer foli në federatën gjermane për këtë episod një vit më pas dhe për këtë u dënua me 6 muaj pezullim nga çdo aktivitet. Gjithsesi, federata gjermane nuk e publikoi këtë vendim dhe e mbajti të fshehtë por gazeta “Die Zeit” hetoi dhe bëri zbulimin duke nxjerrë në pah skandalin. Arbitri i ndeshjes së parë të Shqipërisë u promovua në Bundesligë gjatë vitit 2009 dhe 3 sezone më parë mori stemën e FIFA-s duke u ngjitur deri në majën e arbitrimit europian me drejtimin e ndeshjes finale të Ligës së Kombeve në sezonin 2022/23 mes Spanjës dhe Kroacisë.
sfidanti.al