Një talent shumë i ri ka shkruar historinë në futbollin norvegjez. Gabriel Larsen Rajkovic bëri debutimin e tij në elitën e futbollit të Norvegjisë në moshën vetëm 15 vjeç e 20 ditë, duke u bërë lojtari më i ri që zbret ndonjëherë në fushë në ‘Eliteserien’. Mesfushori i ri debutoi në ndeshjen ku Vålerenga fitoi 1-0 ndaj Sandefjord. Goli i vetëm i takimit u shënua që në minutën e pestë nga Carl Lange me një goditje të saktë diagonale. Në pjesën e dytë, Sandefjord pati mundësinë të barazonte nga pika e bardhë, por portieri i Vålerengës ndali penalltinë e goditur nga Nikolaj Møller.
Rajkovic u aktivizua pesë minuta para fundit dhe menjëherë pati një rast të mirë për të shënuar, por tentativa e tij u ndal nga portieri kundërshtar. Megjithatë, debutimi i tij mbeti historik.
sfidanti.al

