Fatkeqësia e një rivali është përfitim i tjetrit. Barcelona është tepër e lumtur në Spanjë pasi Reali i Madridit u ndalua në shtëpi nga një ekip modest si Girona dhe dy skuadrat janë tani shumë pranë në krye të kampionatit. Gjithsesi, në La Ligë nuk mungojnë polemikat, ashtu siç ndodhin shpesh edhe në Itali, dhe madrilenët akuzuan ashpër arbitrin dhe VAR-in që, sipas tyre, i hoqën fitoren nga duart. “Molla e sherrit” ishte penalltia e dhënë për Gironën që solli barazimin 1-1. Vendasit pretenduan se topi nuk u prek me dorë. “E shpikën penalltinë”, – akuzon e përditshmja madrilene, “Marka”, ndërsa pranon se Reali ishte tepër i lodhur në këtë ndeshje. E përditshmja tjetër e kryeqytetit, “AS”, ka lajm kryesor fitoren e Botërorit nga Spanja U17 për femra, ndërsa për Realin titullon: Dora e mosmarrëveshjes!
Gazeta katalanase, “Sport” titullon: Faleminderit Girona! Barazimi i Realit bën që Barcelona të jetë tani vetëm një pikë prapa! Trajneri madrilen, Karlo Ançeloti, nuk ka dyshime. “Nuk më pëlqen shumë të flas për këto gjëra, – tha tekniku italian, – situata është e qartë, nuk është penallti. Asensio nuk e preku topin me dorë, por me gjoks, dhe krahun e kishte në pozicion natyral. Penalltinë e shpikën. Për anulimin e golit të Rodrigos mund të ketë diskutim, nuk është e qartë”. Pikërisht goli që iu anulua Realit në fund solli polemika të tjera. Sulmuesi brazilian u konsiderua se kishte bërë faull ndaj portierit përpara se ta dërgonte topin në rrjetë, diçka të cilën tek Reali nuk e pranojnë. Gjithsesi, fakt është që ndeshja përfundoi barazim dhe që Reali është vetëm 1 pikë mbi Barcelonën në renditje.
Sfidanti.al