Pas disa ditësh pasigurie, Neymar dhe Santos kanë arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës deri në fund të këtij viti, konkretisht deri në dhjetor 2025. Lajmi është konfirmuar nga disa medie braziliane, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet publik në ditët në vijim. Klubi nga São Paulo, ka arritur të bindë ‘yllin’ e futbollit brazilian të qëndrojë dhe të ndihmojë skuadrën në përpjekjet për të siguruar mbijetesën në Serinë A. Megjithatë, dëshira e Santos-it për një kontratë deri në qershor 2026 nuk u realizua. Marrëveshja e re përfshin një klauzolë që mundëson zgjatjen automatike me gjashtë muaj, nëse Neymar arrin objektivat e caktuar në ndeshje të luajtura dhe arritje sportive. Qëndrimi i Neymar-it te Santos-i nuk ka qenë pa sfida. Ai ka arritur të luajë vetëm 12 ndeshje, me 3 gola dhe 3 asistime, ndërsa në kampionatin brazilian ka grumbulluar vetëm 181 minuta. Dy dëmtime në kofshën e majtë dhe një episod me COVID-19 e kanë mbajtur jashtë fushave për 10 ndeshje, periudhë në të cilën Santos ka pasur rezultate të dobëta dhe ka rënë ndjeshëm në renditje.
Në këtë fazë të vështirë, klubi ka nevojë për liderin e tij me numrin 10, ndërsa Neymar e sheh këtë si një mundësi për të rikthyer formën dhe ritmin fizik, me synimin për të bindur Carlo Ancelottin që ta përfshijë në listën për Kupën e Botës 2026. Për momentin, të dyja palët kanë nevojë për njëri-tjetrin, Santosi për të shpëtuar sezonin, Neymar për të shpëtuar karrierën.
sfidanti.al