Neymar po e rikthen dalëngadalë shkëlqimin. Legjenda braziliane realizoi dy gola për t’ia mundësuar Santosit që t’i japë fund serisë prej tri ndeshjesh pa fitore. Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit e udhëhoqi ekipin e tij drejt fitores në shtëpi me rezultatin 3-1 ndaj Juventude në Serie A braziliane. Përfaqësuesi brazilian realizoi një gol në pjesën e parë dhe një në atë të dytë nga penalltia. “Është një ndjenjë e mirë të luaj mirë dhe të fitojmë përsëri”, deklaroi Neymar pas ndeshjes. “Ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe ta kemi të qartë se kemi mësuar nga gabimet tona. Ne kemi shumë punë përpara nesh”, shtoi ai. Ky ishte goli i tretë sezonal për Neymar, i cili ka zhvilluar nëntë ndeshje në këtë edicion. 33-vjeçari u rikthye nga lëndimi dhe shpreson që të ketë vazhdimësi. Synimi i tij i radhës është rikthimi në Kombëtaren e Brazilit në kualifikimet e Botërorit 2026 kundër Kilit dhe Bolivisë në muajin shtator. Ai nuk e ka përfaqësuar vendin e tij që nga tetori i vitit 2023, kur e kishte pësuar një lëndim në ligamente në kualifikimet e Botërorit kundër Uruguait. “Të gjithë e dinë se çka jam në gjendje të bëj. Jam i gatshëm dhe ndihem mirë. Tashmë i përket të vendos stafi i Kombëtares”, përfundoi Neymar.
sfidanti.al