Ai kishte vendosur të kthehej në Brazil dhe në klubin e tij, Santos, për të rinisur karrierën pas një përvoje zhgënjyese në Arabinë Saudite dhe një dëmtimi shumë të rëndë që e detyroi të qëndronte jashtë fushave për një kohë shumë të gjatë, por për Neymarin drita në fund të tunelit duket ende larg.
Në fakt, gjatë muajve të fundit, kampioni brazilian është përballur me një sërë problemesh fizike, të cilave tani u është shtuar edhe një tjetër.
Neymar do të detyrohet të mungojë përsëri, që do të thotë se shanset e tij për t’u rikthyer në skuadrën e kombëtares për ndeshjet e ardhshme të tetorit kanë mbaruar.
Santos njoftoi gjendjen e Neymar në një deklaratë zyrtare:
“Sulmuesi Neymar Jr. u largua nga stërvitja të enjten (18) në Qendrën Sportive Rei Pelé për shkak të dhimbjes në kofshën e djathtë. Pasi iu nënshtrua testeve të premten (19), u diagnostikua me një dëmtim të muskulit në kofshën e djathtë. Neymar Jr. tashmë ka filluar trajtimin nën drejtimin e Departamentit Mjekësor të Santos FC”.
Santos nuk ka njoftuar se sa kohë do t’i duhet Neymarit për t’u rikthyer në fushë, por sipas raportimeve të mediave braziliane, sulmuesi pritet të mungojë për të paktën një muaj.
sfidanti.al