Muçi, “mbret” i minutave të fundit’ në Turqi

Ernest Muçi po kalon momentin më të artë të karrierës së tij, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit turk me fanellën e Trabzonsporit. Paraqitjet e tij të fundit kanë kaluar jo vetëm pritshmëritë, por edhe emra të mëdhenj që luajnë në Superligë. Sulmuesi shqiptar ka realizuar 9 gola në 9 ndeshjet e fundit në kampionat, një shifër që nuk krahasohet me asnjë lojtar tjetër në këtë periudhë.

Por ajo që e bën edhe më të veçantë formën e Muçit janë momentet kur ai shënon. Nga 9 golat e realizuar, vetëm 1 ka ardhur në pjesën e parë, ndërsa 8 në pjesën e dytë, me plot 5 gola të shënuar në 15 minutat e fundit të ndeshjeve. Pikërisht këta gola kanë qenë vendimtarë, duke i siguruar Trabzonsporit fitore jetike në garën e kampionatit. Falë këtyre realizimeve në limite, Muçi ka treguar nerva të forta dhe instinkt vendimtar, duke u shndërruar në një lojtar “clutch”, që ndryshon fatin e ndeshjes në momentet më kritike. Në gjithë kampionatin turk, vetëm dy lojtarë kanë qenë kaq produktivë në 15 minutat e fundit: Ernest Muçi dhe Mauro Icardi, ylli argjentinas i Galatasarayt. Megjithatë, diferenca është e qartë. Ndryshe nga Icardi, Muçi ka qenë shumë më ndikues në rezultatin final, pasi tre nga golat e tij janë shënuar në kohën shtesë, një statistikë ku sulmuesi shqiptar nuk ka rival. Forma aktuale e Muçit jo vetëm që e ka bërë një nga emrat më të komentuar në Turqi, por po e vendos gjithnjë e më shumë në hartën e sulmuesve më vendimtarë të kampionatit.

sfidanti.al