Mjafton 1 pikë për vendin e parë

Grupi E, janë luajtur dy sfida të raundit të shtatë, të cilat kanë dhënë një pamje akoma më të qartë të situatës, të skuadrave që do të vazhdojnë më tej, me Shqipërinë që ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë kanë marrë një barazim 1-1 në transfertë përballë Moldavisë duke e bërë ëndrrën realitet, ndërkohë që për moldavët gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit, atë përballë Republikës Çeke.

Në sfidën tjetër të Grupit E, atë mes Polonisë dhe Republikës Çeke, është prodhuar i njëjti rezultat, ashtu si në ndeshjen mes Moldavisë dhe Shqipërisë, barazim 1-1. Polonia ka dështuar të kualifikohet në këto eliminatore, e vetmja shpresë mbetet faza play off nga Nation League. Ndërsa njëra biletë është rrëmbyer nga Shqipëria dhe do i mjaftonte edhe një barazim për të “blinduar” vendin e parë, bileta e dytë do të diskutohet në sfidën e 20 nëntorit  në Pragë mes Republikës Çeke dhe Moldavisë. Për çekët mjafton edhe një barazim, ndërsa Moldavisë i bën punë vetëm fitorja.

sfidanti.al