“Messi dhe Ronaldo do luajnë bashkë”

Një skenë që për vite me radhë është dukur e pamundur mund të bëhet realitet në dhjetor të vitit 2026. Carlos Tevez ka zbuluar se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë pranuar të luajnë në të njëjtën skuadër, në ndeshjen e tij të lamtumirës në stadiumin “La Bombonera”, në Buenos Aires.

Ish-sulmuesi argjentinas ka treguar se ideja për të parë dy rivalët më të mëdhenj të epokës moderne në një ekip ka qenë prej kohësh një ëndërr e tij.

“Ka qenë gjithmonë ëndrra ime të shoh Cristiano Ronaldon dhe Leon duke luajtur në të njëjtën skuadër. Ata janë dy lojtarët më të mëdhenj që ka parë futbolli”, ka rrëfyer Tevez. Argjentinasi ka treguar edhe bisedën me Ronaldon, të cilin e kontaktoi personalisht për ta bindur të jetë pjesë e eventit.

“I thashë: ‘Cristiano, ju dua ty dhe Leon në të njëjtën anë për ndeshjen time të lamtumirës. Le ta shohë e gjithë bota atë magji, të paktën një herë’. Ai më tha se do të ishte aty”, ka zbuluar Tevez.

Sipas tij, as Messi nuk ka pasur nevojë për shumë bindje. Të dy ‘yjet’ i kanë dhënë dritën jeshile për të qenë pjesë e ndeshjes së veçantë.

“Leo nuk ishte i vështirë për t’u bindur. Të dy më kanë dhënë dritën jeshile. Mezi po pres. Kjo ndeshje do të jetë shumë emocionuese”, tha Tevez.

Nëse gjithçka realizohet sipas planit, “La Bombonera” do të jetë skena e një prej momenteve më të jashtëzakonshme në historinë e futbollit: Messi dhe Ronaldo, për herë të parë në të njëjtën skuadër, edhe pse vetëm për një ndeshje lamtumire.