I blerë nga Ajaxi në gusht të vitit 2022 për gati 100 milionë euro, Antony është shfaqur si një ‘flop’ i vërtetë te Manchester United dhe në merkaton e fundit të dimrit u huazua te Betisi. Në Spanjë, anësori i majtë 25-vjeçar duket se ka rigjetur formën e tij dhe ka shënuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime në shtatë ndeshjet e tij të para. Kohët e fundit, Rúben Amorim tha se dështimi i brazilianit në ‘Old Trafford’ lidhej me dobësinë e tij fizike, një argument që Junior Pedroso, agjent i Antony-t, e ka hedhur poshtë plotësisht. “Respektojmë mendimin e Rúben Amorim-it, por nuk jam fare dakord me këtë analizë. Të thuash se Antony nuk pati sukses vetëm për arsye fizike, është shumë sipërfaqësore dhe nuk reflekton të vërtetën. E vërteta është se ai nuk mori asnjëherë besimin dhe rëndësinë që i duhej për të treguar lojën e tij më të mirë”, tha fillimisht agjenti i lojtarit, duke kritikuar hapur trajtimin që trajneri portugez i bëri ish-futbollistit të Ajaxit.
“Rúben e aktivizoi Antony-n në vetëm nëntë ndeshje, për një total prej 252 minutash. Kjo është vetëm 18.6% e minutave të mundshme të lojës. Si mund të gjykohet një lojtar në këto kushte? Me atë që tha, edhe pse ndoshta nuk ishte qëllimi i tij, ai e ka zhvlerësuar La Liga-n, e cila është një nga ligat më konkurruese në botë. Që kur mbërriti te Betisi, Antony ka qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit, duke treguar cilësitë e tij, kur ka besim dhe kushtet e duhura për të luajtur futbollin e tij më të mirë”, shtoi Junior Pedroso.
Në përfundim, agjenti i Antony-t nënvizoi edhe një çështje më të gjerë, duke vënë në pikëpyetje situatën te Manchester United:
“Shumë lojtarë nuk kanë arritur të tregojnë veten te United dhe kanë pasur sukses në ekipe të tjera. Kjo më bën të mendoj nëse problemi i vërtetë qëndron tek lojtarët apo diku tjetër…”
sfidanti.al