Bayerni duhet të rregullojë bilancin, Koman drejt shitjes

Bayerni i Mynihut duhet të kursejë. E thënë ndryshe, dikush duhet të largohet. Duket e thjeshtë, por në fakt duhet parë se si do të sistemohen disa lojtarë të tepërt, mes tyre edhe Kingsley Coman, i cili ishte futur në listën e largimeve që verën e kaluar. Aktualisht, klubi bavarez i ka vendosur një çmim të përafërt prej 35-45 milionë eurosh, duke qenë se duhet të ulë bilancin me 10% dhe njëkohësisht të llogarisë garancitë kontraktuale për rinovimin e Jamal Musiala-s. Sipas informacioneve të ‘BILD’, Bayerni dëshiron absolutisht të shesë Coman për të gjeneruar të ardhura dhe madje është i gatshëm të negociojë çmimin, ndryshe nga prilli i vitit 2024, kur vlerësimi i tij ishte rreth 70 milionë euro. Këtë sezon, Coman ka luajtur rreth 1000 minuta dhe ka kontribuar me 4 gola dhe po aq asiste. Duke qenë i lindur në vitin 1996, ai konsiderohet ende një lojtar me talent të madh në treg. Këtu ka dalë në skenë interesimi i Arsenalit. Sipas gazetës gjermane, trajneri Mikel Arteta po kërkon përforcime në krahët e sulmit dhe Coman është një opsion, por nuk përjashtohet as një transferim në Arabinë Saudite, ku klubet e fuqishme financiarisht shpesh tërheqin ‘yje’ evropiane. Bayerni e bleu Coman-in në vitin 2015 në formë huazimi nga Juventusi dhe më pas pagoi 21 milionë euro për blerjen e tij. Një shitje për 35-40 milionë euro do të sillte gjithsesi një fitim, ndërsa ish-lojtari i PSG-së ka kontratë deri në vitin 2027.

sfidanti.al