E ka bërë edhe më parë, dhe e përsëriti. Kristiano Ronaldo nuk po ia kalon aspak mirë që nga rikthimi tek Mançester Junajtidi, dhe nuk po lejon as shokët e tij të skuadrës të kënaqen kur luajnë siç duhet dhe fitojnë. Pasi u largua nga fusha në shenjë proteste vjet me trajner Ralf Rangnikun, superylli portugez e bëri këtë edhe me teknikun e tanishëm, Erik Ten Hagun. Ronaldo ishte i acaruar që holandezi nuk e aktivizoi asnjë minutë, në fitoren 2-0 në Premier Ligë ndaj Totenhemit në “Old Traford”. Suksesi i merituar u arrit falë golave të shënuar nga Fred dhe Bruno Fernandes, por gjesti i CR7-ës e baltosi jo pak imazhin.
Opinioni publik dhe mediatik tashmë po e akuzon Kristianon si problematik dhe të llastuar. “Një plangprishës, – shkruan “Deili Meil”, duke ku referuar opinionistëve Lineker, Riçards e të tjerë, – futbolli kthehet kundër Ronaldos”! Analistët në çdo televizion deklaruan se ai po i prish punë ekipit, trajnerit dhe tifozëve, dhe po mendon se është më i madh dhe skuadra”. Gjithsesi, kryesore ishte paraqitja e Mançester Junajtidit, që rikujtoi kohët e Sër Aleks Fergusonit. Suksesi ishte tepër i rëndësishëm sepse gara për në Champions këtë vit do të jetë shumë e ashpër, siç e tregoi fitorja e Liverpulit ndaj Uest Hemit, që i afroi të kuqtë me vendet e para.
Sfidanti.al