Lavdërimet për të janë të shumta, dhe ai po quhet “një djalë i zoti”. Po ashtu, cilësimi për Tomas Tuhelin është “trajneri i ndershëm”, diçka që e ka bërë të fitonte respektin tek yjet e Paris SG e tani tek Çelsi. Nën drejtimin e teknikut gjerman, Blutë e Londrës kanë luajtur 10 ndeshje në dy muaj, kanë arritur 7 fitore, 3 barazime dhe nuk kanë pësuar asnjë humbje. Po ashtu, nuk kanë pësuar gol në 8 sfida! Çfarë ndryshimi me periudhën e fundit të Frenk Lampardit, ndërsa njerëzit mbajnë mend sesi Mançester Siti shënoi 3 gola në 34 minuta në “Stemford Brixh” në 3 janar.
Tuheli ka punuar edhe nga ana psikologjike me lojtarët duke qenë i drejtpërdrejtë, ndërsa ka bërë disa ndryshime taktike. Futbollistë si Kante apo Kristensen janë në formë të shkëlqyer, Timo Verner ka më shumë besim te vetja, ndërsa mbrojtja është me 3 lojtarë, duke vendosur theksin tek lojtarët e krahut. Skema 3-4-2-1 u përdor shkëlqyeshëm edhe nga Antonio Konte në 2016-2017 kur Çelsi fitoi titullin, ndërsa tani po arrin suksese me Tuhelin. Blutë kanë qenë të fortë në mbrojtje ndaj Totenhemit, Atletikos, Mançester Junajtidit dhe Liverpulit, aq sa kampionët e Klopit gjuajtën vetëm 1 herë në portë në 90 minuta. Jo më kot, tifozët besojnë se Çelsi e ka të sigurt vendin në katërshe, pra kualifikimin në Champions, dhe me Tuhelin mund të ëndërrohet më shumë.
Sfidanti.al