Tërmet te Arabia Saudite një ditë para debutimit në Kupën e Azisë, që po mbahet në Katar. Trajneri Roberto Mancini do të duhet të përfaqësohet në këtë kompeticion pa tre prej futbollistëve që i kishte në listën e të grumbulluarve, teksa arsyet i shpjegon jo pak i çuditur vetë trajneri italian. “Të tre ishin pjesë e listës dhe duhet të pyesni ata për arsyen pre mungojnë. Al Faraj vuri kusht që të mos luante në miqësore dhe vetëm në ndeshjet zyrtare, ndaj u largua. Sultan Al Ghanam më vuri kusht që do të qëndronte në grumbullim vetëm nëse i garantoja një vend si titullar. Formacionin e vendos unë dhe jo lojtarët. Një gjë e tillë nuk më ka ndodhur kurrë. Edhe me portierin Al Adiqi më ndodhi e njëjta situatë, pasi kisha folur disa herë dhe në fund u largua duke thënë e dëshiron të luajë titullar. Sigurisht që ata mund të ishin titullarë, por formacionin për momentin nuk e di as unë. Dua t’i shoh të gjithë në stërvitje, që të garojnë me njëri-tjetrin dhe më pas të luajnë ata që janë në formën më të mirë. Të luash me kombëtaren është krenari dhe nuk më ka ndodhur asnjë situatë e tillë”, tha Mancini. Arabia Saudite do të nisë rrugëtimin e saj në Kupën e Azisë me sfidën përballë Omanit, që do të startojë të martën në orën 18:30.
sfidanti.al