Gjithçka tashmë është e përfunduar. Rej Manaj e firmosi kontratën dhe e bëri prezantimin tek Uatfordi në Angli, dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare e dha menjëherë intervistën e parë për televizionin e klubit të tij të ri. Futbollisti 25-vjeçar u bashkua menjëherë në stërvitje me shokët e ekipit, që do të jetë etapa e radhës në karrierën e tij, ndërsa sqaroi sesi kaloi tek Uatfordi. “Dy javë më parë, agjenti im më mori në telefon dhe më tha për Uatfordin, – tregon lojtari kuqezi, – fillimisht, unë doja të prisja pak më shumë. Doja të prisja 20 ditë pas sezonit, pasi ky edicion ishte shumë i gjatë dhe i lodhshëm. Pasi fola me agjentin dhe pata disa bisedime në Spanjë dhe Itali, bisedova edhe me pronarin e klubit, dhe pastaj vendosa që të bashkohet me ekipin”.
Shqiptari është padyshim njëri nga emrat më të njohur të Uatfordit, pasi ka luajtur më parë për Interin dhe për Barcelonën. “Unë u përpoqa të njihesha me ekipin para se të vija këtu, – vazhdon Manaj, – kishte disa emra që unë i njihja që më parë, por nuk kisha asnjë njohje personale. Natyrisht, duhet të përshtatemi me njëri-tjetrin në fushë që të luajmë së bashku. Më kanë pritur shumë mirë, edhe lojtarët, edhe trajnerët. Jam i lumtur që kam mbajtur dy fanela kaq të rëndësishme si Interi dhe Barcelona, por tani kjo është e shkuara. Unë tani po vesh fanelën e Uatfordit, dhe duhet të punojmë që të kthehemi në Premier Ligë”. Sulmuesi kuqezi është bashkuar me Uatfordin me kontratë 3-vjeçare, sërish i huazuar nga Barcelona, pasi luajti sezonin e kaluar në Serinë A me Specian.
Sfidanti.al