Një gol në 9 ndeshje për ekipet e klubeve nuk e ka pasur kurrë, besohet as në kohën kur ishte fare i ri tek Sportingu në fillim të viteve 2000. Gjithsesi, Kristiano Ronaldos po i ndodh pikërisht sot kjo gjë, kur nuk shënon dot as me portën bosh, ndërsa mallkimi i “bujtjes” së dytë tek Mançester Junajtidi vazhdon. Rasti që pati në fushën e Omonias së Nikozisë ishte nga ata që ai nuk i falte kurrë, por duket se trysnia bën të vetën edhe ndaj një legjende të futbollit. Ronaldo ishte në fushë në Ligën e Europës për 90 minuta, pra trajneri Erik Ten Hag këtë herë i dha mundësinë, por ai nuk mundi ta shfrytëzonte. Statisticienët thonë se CR7 po pret për golin e 700-të me ekipet e klubeve në karrierë (ka 699 deri tani), ndërsa ka 117 me Portugalinë, pra gjithsej janë 816 rrjeta. Rivali i tij i madh, Lionel Mesi, ka arritur deri tani në 691 gola me ekipet e klubeve dhe 781 në total në karrierë, pra është 35 gola larg.
Sfidanti.al