Me një eleminim të mundshëm nga Kupa e Shqipërisë, aq më shumë ndaj një skuadre inferiore si Besëlidhja, do të thotë që Partizani shumë shpejt do të hidhte në plehëra gjysmën e sezonit. Sot në 13:30, skuadra e kuqe do të luajë në “Elbasan Arena” ndeshjen e kthimit ndaj lezhjanëve, ndërkohë që të parën e ka humbur me rezultatin 1-0. Atmosfera do të jetë e akullt, pasi takimi do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, ndërsa trajneri Starova nuk ka më ndërmend të rrezikojë, duke përdorur si në 90 minutëshin e parë, futbollistë të cilët janë aktivizuar më pak gjatë këtij sezoni.
Aq seriozisht e kanë marrë drejtuesit e Partizanit këtë takim, saqë e kanë përgatitur sikur të luajnë kundër kampionëve të Skënderbeut. Nuk është kursyer as portjeri Hoxha, pasi Xhika që ishte menduar si tutullar, ka ndjerë një dhimbje në kofshë gjatë sezncës së fundit stërvitore. Ndërsa pothuajse është konfirmuar, që në fushë do të jenë nga minuta e parë, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda dhe Kalari në mbrojtje, Vila, Batha, Ramadani, Trashi në mesfushë, në majën e sulmit Ekuban dhe pas shpinës së tij Bardhi. Fujzullahu dhe Torasa nuk do të jenë të gatshëm dhe kjo jo për t’i ruajtur, por sepse nuk janë rikuperuar pas një dëmtimi.