Festa e tifozëve ishte e madhe, por po ashtu edhe shqetësimi. Luton Tauni u kthye në Premier Ligën angleze pas plot 31 viteve, pasi triumfoi në plej ofi ndaj Koventrit, veçse klubi ka një problem serioz. Përtej suksesit me penallti të arritur në “Uembli”, Lutoni nuk ka një stadium që të plotësojë standardet që kërkon elita e futbollit anglez. Impianti i vjetër “Keniluorth Roud” ndoshta është më i veçanti në të gjithë Anglinë, pasi përpara tribunës së tij është një varg shtëpish dykatëshe.
Që tifozët të hyjnë në stadium, duhet të kalojnë nëpër dyer e korridore të hapura pikërisht në këto shtëpi private, diçka që është e paimagjinueshme në Premier Ligë. Ky nuk ishte problem kur Lutoni luajti për herë të fundit në kategorinë e parë në 1992, por që atëherë rregullat kanë ndryshuar. Lutoni është një nga ekipet më të vjetër në futbollin anglez dhe botëror, i krijuar plot 138 vjet më parë, por padyshim që duhet të luftojë me kohën për të qenë gati. Mediat britanike shkruajnë se klubi ka 75 ditë kohë dhe duhet të shpenzojë 10 milionë paundë stërlina, që të lejohet për të luajtur në Premier Ligë.
Sfidanti.al