Luka Modriç, zot i futbollit, kroati fiton Topin e Artë

Jo më Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo. Pas 10 vjet “diktature”, “Topi i Artë” ka një tjetër pardon, dhe ky është Luka Modriç. Regjisori i Kroacisë dhe i Realit të Madridit, fitoi trofeun prestigjioz individual, si lojtari më i mirë i vitit 2018, për revistën franceze “Frans Futboll”. Edhë më i rëndësishëm triumfi, kur kroati mundi në Paris të Francës, në një anketë franceze, yjet francezë kampionë të botës si Antuan Grizman e Kilian Mbape.

Pas Modriçit u renditën Kristiano Ronaldo dhe Antuan Grizman, Mbape doli në vend të katërt, ndërsa Mesi u vlerësua vetëm i pesti, renditja e tij më e keqe që nga viti 2006, kur ishte 19 vjeç.

Modriç e arriti ëndrrën e çdo futbollisti në moshën 33-vjeçare, thuajse në fund të karrierës, por fitorja e tij ishte plotësisht e merituar, pasi doli në finalen e Kupës së Botës me Kroacinë e vogël, mrekullinë e futbollit të këtij viti, si dhe fitoi Ligën e Kampionëve me Realin. Ai ishte në sallën e “Pallatit të Madh” (Grand Palais), së bashku me të shoqen dhe 3 fëmijët, ndërsa në rreshtin e parë ndodhej edhe presidenti i Realit, Florentino Perez.

Sfidanti.al