Mjaftoi një moment i fiksuar në foto dhe në video për të kuptuar se përse kjo ndeshje quhet derbi më i egër në botë, edhe për femra. Boka Juniors-River Plejt pati rast të luhej këtë fundjavë në fushën e verdhebluve (Bokës), ndërsa një ndërhyrje e portieres mike, Florensia Çiribelo, ndaj sulmueses rivale ishte thuajse vrasëse.
Sulmuesja Bianka Rekanati mori një top të gjatë dhe vrapoi ballë për ballë me portieren, e cila ndërhyri në mënyrë të rrufeshme, por duke e mbajtur këmbën e djathtë të ngritur lart. Goditja ishte shumë e fortë, duke ia përndrydhur Rekanatit kyçin e këmbës së djathtë. Ulërima e saj tronditi gjithë stadiumin, dhe u mendua më e keqja, por për fat, dëmtimi doli më i lehtë sesa i frikësoheshin. Bianka do të mungojë për një kohë të shkurtër.
Derbi Boka-River dhe anasjelltas cilësohet gjerësisht si ndeshja më e egër dhe më e zjarrtë në futbollin botëror duke lënë prapa sfida të tilla të mëdha si Rejnxhërs-Sëlltik, Flamengo-Fluminense, Real-Barcelona, Mançester Junajtid-Liverpul, Gallatasaraj-Fenerbahçe, Crvena Zvezda-Partizan, Roma-Lacio apo Panathinaikos-Olimpiakos.
Sfidanti.al