Pas rinovimeve të emrave kyç si Virgil Van Dijk dhe Mohamed Salah, në kampin e Liverpool-it ka nisur puna për të garantuar të ardhmen edhe të lojtarëve të tjerë të rëndësishëm. Mes tyre spikat Luis Diaz, për të cilin klubi anglez ka ndër mend të nisë negociatat për një rinovim kontrate, pavarësisht se aktualisht është i lidhur me “The Reds” deri në vitin 2027. Sipas asaj që raporton Sky Sports, përfaqësuesit e Diazit do të ulen në bisedime me drejtuesit e Liverpool-it në fund të këtij sezoni, me qëllim rishikimin e kushteve aktuale të kontratës. Kolumbiani, i cili të dielën që festoi 100 paraqitje në Premier League, shënoi edhe golin e barazimit të përkohshëm kundër Tottenham-it, përpara se skuadra e Arne Slot të fitonte bindshëm 5-1, duke siguruar titullin e 20-të në histori.
Edhe pse ka ende dy vite të mbetura në kontratë, interesi i Barcelonës dhe zërat për një transferim të mundshëm në Saudi Pro League e kanë nxitur Liverpool-in të veprojë në kohë, për të shmangur skenare të padëshiruara në të ardhmen. Në këtë sezon, Diaz ka qenë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës, me 14 gola të shënuar, duke ndihmuar ekipin të rikthehet te trofetë, që mungonin që nga sezoni 2019/20. I transferuar nga Porto në janar të 2022 për një shumë fillestare prej 37 milionë paundësh, ai ka fituar me Liverpool-in Premier League, FA Cup dhe dy Kupa të Ligës. Rinovimi i tij do të përforconte edhe më tej boshtin ofensiv të skuadrës dhe do të ishte një sinjal i qartë se Liverpool-i synon të ndërtojë një projekt të qëndrueshëm.
sfidanti.al