Kristiano Ronaldo ishte i pari. Më pas rrugën e tij ndoqi edhe Karim Benmzema. Transferimi i dy yjeve krijoi idenë se Arabia Saudite do të kthehej në “parajsën” e futbollit botëror. Paratë e sheikëve bindën dy sulmuesit për t’u larguar nga Europa në fundin e karrierës së tyre, por gjithsesi ende të aftë për të luajtur në nivele të larta. Ata zgjodhën financat përpara skenës së madhe të futbollit, por ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe.
Lionel Mesi refuzoi një ofertë marramendëse nga Al Hilal, megjithëse kampioni i botës gjithashtu vendosi të largohej nga Europa për t’u transferuar te Inter Majemi në Shtetet e Bashkuara të Ameriknës. Por yje të tjerë të kanë vendosur të zgjedhin futbollin përpara parave. Robert Levandovski, Luka Modriç apo Romelu Lukaku nuk pranuan kontratat e majme të sheikëve për të vazhduar karrierën me skuadrat e tyre. Jo vetëm futbollistë, por edhe trajnerë. Zhoze Murinjo gjithashtu nuk pranoi ofertën e Al Ahli të propozuar nga vetë pronari i klubit arab gjatë një takimi në Londër të mërkurën.
Sfidanti.al