Fundjava ka qenë e mbushur plot me zhvillime për lojtarët e Kombëtares shqiptare të impenjuar me klubet e tyre në Evropë dhe jo vetëm, teksa shumica e kuqezinjve janë aktivizuar, duke qenë edhe këtë herë protagonistë.
Në sfidën Sassuolo-Interit, Kristjan Asllani dhe Marash Kumbulla ishin dy lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes. Dy futbollistët e Kombëtares u aktivizuan titullarë me skuadrat e tyre dhe zhvilluan një paraqitje shumë të mirë. Pavarësisht humbjes së Interit, Kristjan Asllani ishte lojtari që u vlerësua me notën më të lartë 7,5 nga sajt i specializuar për statistikat sofascore, ndërsa Marash Kumbulla me notën 7.4 duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e Sassuolos. Ky nuk ishte i vetmi lajm pozitiv nga kampionati italian për trajnerin Silvinjo, pasi këtë fundjavë në fushë u rikthyen edhe Ardian Ismajli dhe Ylber Ramadani duke lënë pas dëmtimet. Të dy u aktivizuan si titullarë dhe zhvilluan paraqitje shumë të mira. Arbër Hoxha shënoi golin e parë në kampionat me Dinamo Zagreb në sfidën ndaj Rijeka. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në fushë në të 87-të kur ndeshja ishte në barazim 1-1 dhe vetëm pas dy minutash shënoi golin e fitores. Një realizim shumë i rëndësishëm për Arbër Hoxhën pasi tani skuadra e tij Dinamo Zagreb është shumë pranë titullit kampion.
Rey Manaj la shenjë sërish këtë fundjavë me Sivasspor në takimin ndaj Galatsaray. Sulmuesi kuqezi asistoi në golin e vetëm të shënuar nga skuadra e tij në humbjen 6-1 kundër kryesuesëve të kampionatit turk. Qazim Laçi ishte protagonist në fitoren e thellë 4-2 të skuadrës së tij Sparta Prague ndaj Slovacko. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 61-të dhe i mjaftuan vetëm dy minuta në fushë për të dhënë asistin e golit të tretë të shënuar nga Haraslin. Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Jon Mersinaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Taulant Seferi dhe Ernest Muçi ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Keidi Bare, Myrto Uzuni dhe Arbnor Muja.
sfidanti.al