Legjenda Skoulls ndjeu problemet e Mançester Junajtidit që në 2013

Ishte sezoni kur Sër Aleks Ferguson u largua nga detyra duke mbyllur një epokë. Bashkë me të, nga Mançester Junajtidi iku edhe shefi ekzekutiv, Dejvid Xhill, një mjeshtër i biznesit, por edhe i futbollit, dhe në vend të tyre erdhën fytyra të reja. Në stol, Dejvid Mojes (ish-trajner i Evertonit) dhe në bord, Ed Uduord, pasardhësi i Xhillit. Pikërisht në verën e 2013-ës ndodhi një blerje e dyfishtë që solli dyshim dhe shqetësim tek një legjendë e klubit si Pol Skoulls.

Në “Old Traford” erdhën Huan Mata dhe Maruan Felaini, si përforcimet e para të Mojesit, dhe sot pas 6 vitesh, Skoulls zbulon. “Ata ishin lojtarë të mirë, të cilët unë i respektoj, – thotë ai, – por, nuk mendoj se ishin lojtarë për Mançester Junajtidin. Që nga ajo kohë, për mua ranë këmbanat e alarmit, dhe filloi rënia për të mbërritur në gjendjen ku jemi sot. Nuk mendoj se Sër Aleksi apo Xhilli do të kishin marrë lojtarë të tillë, ndërsa kjo gjë vazhdoi edhe më pas”. Skoullsi shpreh besimin se “Ole (Gunar Solskjer, trajneri) tani erdhi në drejtimin e skuadrës dhe po punon për ta ndryshuar gjërat”.

Sfidanti.al