Lajm i mirë për futbollin, Apeli rikthen tifozët në derbi

Derbi Tirana – Partizani, që më 1 dhjetor do të luhet në ora 19:00, do të zhvillohet me tifozë. Ky është efekti i vendimit të Komisionit të Apelit të Federatës Shqiptare të Futbollit, marrë të hënën, ndërsa në total e ka dënuar Tiranën me 8 ndeshje pa tifozë. Por në të njëjtën kohë ka pezulluar vendimin për pesë ndeshjet e mbetura pa tifozë, ndërsa tre janë zhvilluar të tilla, kjo ndaj Egnatias, Bylisit dhe Elbasanit.

Pezullimi i dënimit revokohet nëse gjatë periudhës së provës KF Tirana kryen një shkelje tjetër të natyrës dhe rëndësisë së ngjashme. Periudha e provës do të jetë deri në përfundim të sezonit futbollistik 2024-2025. Ndërkohë që për KF Tiranën ka mbetur në fuqi gjoba prej 300.000 lekësh të rinj.

Më parë Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit e kishte dënuar Tiranën për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e lojtarëve të ekipit mik me gjobë 300.000 lekë të rinj dhe zhvillimin e pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit pa tifozë.

Kujtojmë që tre futbollistë të Vllaznisë për hedhje të kapsollave në fushë mbeten të lënduar, ndërsa Mala u transportua në spital për një kurim më të specializuar. Megjithatë Apeli ka falur dhe derbi Tirana – Partizani do të jetë me tifozë.

Vendimi i Apelit:

Komisioni i Apelit pasi mori në shqyrtim ankimin e Klubit të Futbollit Tirana,

Vëren se: 

Me vendimin nr.13, pika 1 datë 01.11.2024 Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka vendosur të marrë kundrejt KF Tirana, masat disiplinore si më poshtë vijon:

KF Tiranapër sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e lojtarëve të ekipit mik, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit futbollistik 2024-2025 pa spektatorë.

Më datë 09.11.2024 KF Tirana, ka paraqitur ankim me objekt:

  • Rrëzimin e Vendimit13, pika 1 datë 01.11.2024 të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës.

Komisioni i Apelit të Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, dogjoi përfaqësuesit e Klubit të Futbollit Tirana, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjen në tërësi si dhe duke u bazuar në nenet 65 e vijues të Kodit të Disiplinës dhe Etikës,

VENDOSI:

  1. Lënien në fuqi të masës së dënimit me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.
  2. Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit duke vendosur:
  • Dënimin e Klubit të Futbollit Tirana për zhvillimin e të 8 (tetë) ndeshjeve pa spektatorë.
  • Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit prej 5 (pesë) ndeshjesh.
  • Pezullimi i dënimit revokohet nëse gjatë periudhës së provës KF Tirana kryen një shkelje tjetër të natyrës dhe rëndësisë së ngjashme.
  • Periudha e provës do të jetë deri në përfundim të sezonit futbollistik 2024-2025.
  1. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.

sfidanti.al