Laçi frenon Egnatian

Laçi ka marrë rezultatin e tetë pozitiv radhazi, këtë herë duke ndalur Egnatian në barazimin pa gola në Rrogozhinë. Meritë edhe e portierit Dajsinani që priti një penallti, ndërkohë që laçianët ishin skuadra më kërkuese në fushë. Laçi ka ndalur Egnatian kryesuese në një barazim pa gola, falë edhe pritjes së penalltisë nga portieri Dajsinani në minutën e 64-t. Për skuadrën e Mirel Josës është rezultati i tetë pozitiv radhazi, prej të cilave tre të fundit janë barazime. Egnatia vuajti në krijimin e rasteve, pasi Laçi u mbyll mjaft mirë, por pa menduar thjesht për të marrë një pikë. Laçjanët ishin në çdo çast të gatshëm të sulmonin e mund të kishin shënuar në dy raste. Prodani shpërdoroi një mundësi duke gjuajtur jashtë, ndërsa Qato u ndal nga shtylla në minutën e 28-të.

Ky ishte momenti më i rrezikshëm për të dyja skuadrat në pjesën e parë. Pjesa e dytë shfaq të njëjtën tablo si e para, me Egnatian ndoshta të befasuar nga iniciativa e Laçit që gjithmonë dilte në sulm me forca të shumta. Gjithsesi, as miqtë nuk arritën të krijonin raste të pastra. Mundësia më e mirë e gjithë ndeshjes vjen për vendasit, në minutën e 64-t.

Montenegro nga Dajko dhe gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë. Spahiu merr përsipër ekzekutimin dhe gjuan nga e majta e Dajsinanit, por portieri i Laçit i kupton krahun dhe ndalon topin. Në minutat e fundit Qato del në një kundërsulm, por gjuan keq pasi hyn në zonë nga e majta. Ishte rasti i fundit dhe skuadrat ndahen në paqe.

sfidanti.al