Laçi e mbylli vitin në vendin e shtatë me 20 pikë, duke lënë pas tri skuadra në luftën për mbijetesë. Skuadra e Françesko Morieros shkon e qetë tashmë në pushime, ndërsa një punë e madhe nis për drejtuesit e klubit, të cilët kanë ditë që projektojnë lëvizjet në merkaton e janarit. Mësohet se te bardhezinjtë janë planifikuar nga një afrim në çdo repart, por për momentin nuk ka emra konkretë lojtarësh që mund të përforcojnë skuadrën. Nga ana tjetër, pritet që të ketë edhe largime nga skuadra, kryesisht lojtarë që kanë pasur pak hapësira në pjesën e parë të sezonit. Kampionati u ndërpre ndoshta në momentin më të mirë të kurbinasve, që kishin krijuar stabilitet në lojë dhe rezultate. Ardhja e trajnerit Moriero i dha një tjetër fytyrë skuadrës, që harmonizoi veprimet dhe shpërtheu pikërisht në dy ndeshje ndaj klubeve me shumë traditë në futbollin shqiptar: Vllaznia dhe Tirana. Si për koincidencë, në të dyja takimet përballë këtyre skuadrave, kurbinasit kanë arritur të fitojnë 3-1, duke përmbysur rezultatin. Tashmë stafi teknik ka kohën e duhur për të përgatitur ndeshjen e radhës, që do të jetë kundër Egnatias në transfertë më 11 janar 2025. Në fazën e parë të besuarit e Morieros arritën të mposhtin pastër rrogozhinasit.
sfidanti.al