Kush mendon se nuk ka “betejë” mes FSHF dhe FFK, gabon…

Alban Bushi publikoi në orët e fundit listën e skuadrës U-21 që do të luajë dy ndeshjet e radhës kundër Rumanisë dhe Malit të Zi. Duele eleminatore vendimtare ku është e nevojshme ndihma e të gjithëve, përfshirë edhe e lojtarëve që më parë kanë vedhur fanellën e Kosovës. Risia e madhe e listës është sulmuesi vushtrias i Skënderbeut, Ermir Rashica, i cili në të kaluarën ka luajtur me ekipet e moshave të Kosovës, e madje deri vonë për ekipin U-21 të dardanëve.

Gjithsesi FSHF ka arritur ta bindë e me shumë mundësi kundër dëshirës së FFK-së, çka do të thotë se mes dy federatave nuk ka një politikë të përbashkët dhe axhendat në shumë pika kryqëzohen rrezikshëm. Në një intervistë të ditëve të fundit në Kosovë, Duka deklaroi se lojtarët janë të lirë të zgjedhin por evitoi me “mjeshtëri” të përgjigjej se sa punë mund t’i prishë kjo ndërhyrje jo shumë fair – play Kosovës. Edhe Agim Ademi në krahun tjetër nuk ka pranuar të flasë asnjëherë për krizë por rasti më i fundit tregon se sa të vështirë mund ta kemi bashkëjetesën edhe në të ardhmen.

Nga Pirro Bardhyli