Kush është njeriu që mund të drejtojë Kosovën

Roberto Moreno është sot njeriu më pranë stolit të Kosovës pasi bisedimet mes tij dhe federatës janë në një fazë të avancuar e shumë shpejt pritet që presidenti Agim Ademi të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e stolit të dardanëve pas largimit të sllovenit Primoz Gliha. Por kush është Moreno? Ai ka lindur në vitin 1977 dhe hapat e parë si trajner i hodhi që në moshë të hershme. Moreno e nisi karrierën profesionale si trajner në vitin 2003 pasi drejtoi disa klube lokale në rajonin e Katalunjës. Pasi punoi si skaut i Barcelonës në sezonin 2010/2011, ai u emërua ndihmëstrajner i Luis Enriques tek Roma në sezonin 2011/2012, tek Celta Vigo në sezonin 2013/2014 dhe tek Barcelona në një periudhë trevjeçare (2014-2017). Në mars të vitit 2019, Moreno mori drejtimin e Spanjës pas largimit të Luis Enriques për arsye personale. Debutimin me Furinë e kuqe e bëri në muajin mars me suksesin 2-0 ndaj Maltës ndërsa e drejtoi Spanjën edhe në dy ndeshje të tjera, Suedinë dhe Ishujt Faroe. Më pas drejtoi Monaco dhe Granada-n që ishte klubi i fundit ku ai punoi.

sfidanti.al