Kosova i beson stolin legjendës së vjetër, Feliks Magat!

Një ekip i tillë nuk e ka të lehtë të gjejë njeriun e duhur. Kosova është një nga përfaqësueset modeste të Europës, pavarësisht trimërive në Ligën e Kombeve dhe eleminatoret e Kupës së Botës, ndaj edhe duhet të pranojë legjenda të vjetra. Një e tillë, Feliks Magat, pritet të zëvendësojë Bernar Shalandin e larguar një ditë më parë. Gjermani 68-vjeçar është një emër i madh i futbollit, si lojtar dhe si trajner, një personalitet i vërtetë që e tregoi veten me Gjermaninë Perëndimore, Hamburgun, Bajernin apo Volfsburgun, duke fituar jo pak.

Trajneri që Kosova praktikisht e ka të marrë, fitoi si lojtar Europianin me Gjermaninë, Championsin me Hamburgun dhe po me HSV-në mori 3 tituj kampion në Gjermani. Si trajner shkëlqeu me Bajernin duke dalë dy herë kampion në 2005 e 2006, ndërsa u largua pas konflikteve me bosin Uli Hënes. Magat realizoi një hakmarrje në 2009, duke fituar Bundesligën me Volfsburgun e duke fituar 5-1 ndeshjen e famshme ndaj Bajernit atë sezon. Në total, në fushë e në stol, ai ka fituar 13 trofe, e është shpallur tri herë trajneri i vitit në Gjermani, në 2003, 2005 e 2009. Që nga viti 2017, Feliks Magat nuk është në detyrën e teknikut, dhe me futbollin po merret në mënyra të tjera, por gjithsesi ka pranuar ofertën e Kosovës dhe pritet të rikthehet në stol.

Sfidanti.al