Nga porta tek mbrojtja, kombëtarja shkon me probleme drejt Botërorit!

Shpejt do të rinisë udhëtimi në eleminatoret e Botërorit, dhe problemet nuk mungojnë. Kombëtarja shqiptare ka disa lojtarë të rëndësishëm të cilët nuk po aktivizohen në ekipet e tyre të klubeve. Problemi numër 1 ka të bëjë me portën. Dy alternativat kryesore të trajnerit Edi Reja, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha nuk janë aktivizuar në këtë fillim sezoni. Berisha kaloi tek Torino pasi shkëlqeu me Spalin sezonin e kaluar në Serinë B, por pavarësisht se u ngjit në A, është zgjedhja numër 2 në ekipin piemontez. Strakosha, ndërkaq, nuk ishte në ndeshjen e parë në elitë me Lacion në fushën e Empolit, pasi trajneri Sarri ka zgjedhur titullar Pepe Reinën. Portieri kuqezi është aktivizuar vetëm pak herë në ndeshjet përgatitore gjatë verës, dhe duket se kjo hierarki nuk do të ndryshojë. Të paktën për Lacion luan vazhdimisht mbrojtësi Elseid Hysaj.

Një mungesë e rëndësishme pritet të jetë ajo e Ermir Lenjanit në krahun e majtë, pasi futbollisti me origjinë nga Kosova pësoi dëmtim në ndeshjen e fundit të Superligës së Zvicrës, që Grashopersi humbi 1-2 me Zyrihun. Mëkat, sepse Lenjani ishte në formë duke dhënë asist goli një ndeshje më parë, dhe në formë është edhe kapiteni i Grashopersit, Amir Abrashi. Problemeve me dëmtimet i shtohet edhe mbrojtësi Veseli i Salernitanës, gjithashtu në Serinë A italiane.

Shpresa e madhe është që Gjykata Sportive në Lozanë të Zvicrës të lejojë Nedim Bajramin që të luajë me Shqipërinë, dhe përgjigja e gjyqit me FIFA-n pritet deri në fund të gushtit.

Trajneri Reja ka lajme të mira lidhur me fazën ofensive. Sokol Cikalleshi ka shënuar dy herë radhazi në Superligën turke për Konjasporin, duke i dhënë fitoren e ekipit të tij. Endri Çekiçi, një mesfushor sulmues, shënoi gjithashtu gol për Konjasporin dhe është në formë. Rej Manaj, ndërkaq, vërtet nuk ka luajtur në fillimin e La Ligës për Barcelonën, por ishte shumë i dalluar në fazën përgatitore duke shënuar 4 gola për ekipin e madh katalanas.

Sfidanti.al