Kumbulla dhe Sadiku, Reja “kryqëzon gishtat” para Andorrës dhe Francës!

Problemet ishin edhe para Turqisë, dhe pritet të jenë edhe tani. Kombëtarja shqiptare rrezikon të mos ketë apo të ketë në formë jo të plotë disa nga lojtarët e saj më të mirë, në prag të sfidave të Europianit kundër Andorrës e Francës. Dëmtimi më i fundit ishte ai i Marash Kumbullës, mbrojtësit të Veronës, që u detyrua të dilte shpejt nga fusha në ndeshjen e Serisë A kundër Breshës.

Veronezët triumfuan 2-1, veçse 19-vjeçari pësoi një lëndim muskulor, dhe është në dyshim të fortë për ndeshjen e fundjavës së ardhshme ndaj Interit. Kjo do të thotë se ai do të jetë gati dy javë pa aktivitet dhe kjo mund të ndikojë për keq, edhe nëse grumbullohet nga trajneri i kombëtares, Reja.

Në pikëpyetje mbetet edhe Armando Sadiku, shënuesi më i mirë i viteve të fundit. Sulmuesi është dëmtuar prej një jave dhe vazhdon rikuperimin, por kthimi në fushë mbetet në pikëpyetje. Sadiku nuk luajti në ndeshjen e fundit të Malagës ndaj Ponferradinës në Ligën e dytë spanjolle, dhe nuk do të jetë as javën e ardhshme ndaj Fuenlabradës, në 10 nëntor. Në 14 nëntor Shqipëria luan ndaj Andorrës e në 17, me Francën, dhe pritet që Sadiku të grumbullohet, por nuk dihet nëse do të ketë ritmin e duhur.

Për fat, Elseid Hysaj është riaftësuar dhe ishte në stol në ndeshjen e fundit të Serisë A, që Napoli e humbi në fushën e Romës. Kapiteni, edhe pse nuk do të ketë formën dhe ritmin që kërkohet, është i gatshëm për kombëtaren.

Lajm i mirë sërish nga Italia, ku të dy portierët kuqezi janë në maksimum. Tomas Strakosha pati meritën e tij në fitoren 2-1 që Lacio arriti në fushën e Milanit, këtë të diel, duke bërë pritjet e zakonshme. Më parë, Milani u ndal disa herë edhe nga Etrit Berisha, në fitoren minimale që arriti në fushën e Spalit të Ferrarës.

Sfidanti.al