Kombëtarja, kthehen 3 ndaj San Marinos, por kemi shumë lojtarë në dyshim!

Kemi lajme të mira, por edhe të këqija. E mira është që për ndeshjen ndaj San Marinos këtë të mërkurë në Kupën e Botës, kombëtares shqiptare i kthehen tre lojtarët e pezulluar pas sfidës me Poloninë në Varshavë. Elseid Hysaj, Keidi Bare dhe Rej Manaj do të jenë në dispozicion të trajnerit Edi Reja, për më tepër të shlodhur, pra të gatshëm për t’u hedhur në fushë që nga minuta e parë. Gjithsesi, Shqipëria ka edhe mjaft probleme, që mund të jenë mungesa.

Sokol Cikalleshi, autori i golit ndaj polakëve, është sërish në dyshim pasi nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin në gju. Stafi mjekësor do ta thotë mendimin e tij vetëm këtë të martë ose të mërkurë, ndërsa sulmuesi kavajas është një nga titullarët e padiskutueshëm për Rejën. Me probleme fizike janë edhe Abrashi që u dëmtua ndaj Hungarisë, ashtu siç pati shqetësime apo qoftë edhe lodhje Nedim Bajrami. Gjithsesi, gjendja e Bajramit është më e mirë dhe besohet se do të jetë gati. Burime në kombëtare bëjnë me dijë për Abc-në se në dyshim janë edhe Trashi e Balaj. Për më tepër, Klaus Gjasula do të jetë i pezulluar për shkak të kartonit të verdhë të marrë pikërisht në ndeshjen me Hungarinë.

Sfidanti.al