“Këlyshët” e Anglisë po rriten shpejt, ndaluan Brazilin e madh!

Brazili kishte kohë që nuk dukej kaq i madh sa tani, por gjithsesi nuk ia doli të fitonte në “Uembli”. Yjet “kanarinë” nuk shënuan dot asnjë gol edhe pse u ndodhën përballë një Anglie me “këlyshë”, dhe jo me “luanë”. Pesë herë kampionët e botës padyshim ishin skuadra më e mirë në fushë, por lajmi për mediat angleze është se “vogëlushët” e tyre po rriten shpejt dhe ia dolën ndaj gjigandëve si Nejmar, Dani Alvesh, Marselo, Kasemiro, Kutinjo, Paulinjo apo Gabriel Zhezus.

Gomez, Stouns, Maguir, Bertrand, Loftus-Çek, Livermor, Solanke e Rashford u treguan në lartësinë e detyrës dhe shpikësit e futbollit mund të ndihen me shpresë për të ardhmen. A thua shumë dekada zhgënjimesh po marrin fund? Është herët ta thuash, por brezat e rinj anglezë duken më kolektivë, dhe më fitues kur veshin fanelën e kombëtares, diçka që nuk ndodhte të paktën që nga viti 1996, kur Anglia e Shirërit dhe Gaskonjit arriti gjysmëfinalet e Europianit. “Thembra e Akilit” për lojtarët anglezë ka qenë “shtrydhja e madhe” në kampionat, dhe prania e shumë futbollistëve të huaj. Shpresohet që edhe këtyre t’u gjendet “mjekimi”.

Sfidanti.al