Për herë të parë në historinë e saj, Tirana ka rënë nga Superliga. Për herë të parë në jetën e kampionatit shqiptar, skuadra më e madhe, nuk do të jetë pjesë e tij. Barazimi 0-0 në fushën e Vllaznisë, kombinuar me fitoret e Laçit dhe Flamurtarit krijuan precedentin që nuk njihej që nga viti 1930 kur filloi turneu shqiptar i “topkëmbës”.
Në “Loro Boriçin” e mbushur thuajse plot, Vllaznia e nisi më mirë ndeshjen e javës së fundit, dhe ishte më lart në pjesën e parë. Krijoi disa mundësi, por nuk mundi të shënonte, kërkoi penallti, por edhe mund të ishte ndëshkuar me 11-metërsh në fund.
Pas pushimit, ishte Tirana më kërkuese dhe me futboll shumë më të mirë. Kryeqytetasit iu afruan golit disa herë, por qoftë pasaktësia e tyre, mbrojtja shkodrane dhe presioni i madh bëri që të gabonin.
Gjatë gjithë kohës, disa nga lojtarët shkodranë duhet thënë që bënë teatër për të vonuar lojën, duke kulmuar me simulimin e portierit Selimaj në minutën e shtatë shtesë. Të dyja skuadrat e përfunduan përballjen me nga 10 lojtarë, pasi u përjashtuan me karton të kuq Pjeshka i Vllaznisë dhe Sise i Tiranës.
Rezultatet: Vllaznia-Tirana 0-0, Laçi-Teuta 2-1, Korabi-Flamurtari 0-3, Luftëtari-Kukësi 1-0, Skënderbeu-Partizani 2-2.
Renditja: Kukësi 75 pikë, Partizani 72, Skënderbeu 72, Luftëtari 44, Teuta 40, Laçi 40, Vllaznia 40, Tirana 39, Korabi 13.