Superiorja me drita fikur…

Në ndeshjen e javës së 18 mes Teutës dhe Egnatias, dritat e stadiumit u bënë protagoniste. Për shkak të problemeve me sistemin e ndriçimit në “Niko Dovana”, dritat u fikën në minutën e 38-të të sfidës, me sfidën që rinisi në të 43-tën. Sigurisht që energjia u rikthye ashtu si normaliteti në shkallët e stadiumit të Durrësot ku lojtarët kthyen faqe dhe vijuan ndeshjen por nëse mund ta ndalim kohën për një moment në minutën e 38-të, ky duket një “film” aktual. Futbolli shqiptar, kryesisht në Superiore por edhe tek kategoritë e tjera, ka mbetur prej kohësh pa drita. Luhet në errësitë  pasi levën e energjisë e kanë kyçur në kasafortën e FSHF-së.

Aty vendosin kur dhe ku mund të shkojë energjia me raste. Llampat i ndezin vetëm në finalen katërshe të fund-sezonit ndërsa pjesa tjetër me 36 javët rutinore luhet në errësirë të plotë. Rezultate jo normale, përballje që zhvillohen sa për të kaluar radhën, askush nuk i përjeton më humbjet si tragjedi dhe fitoret si triumf. Futbolli duket se e ka humbur rrugën edhe për shkak të mungesës së dritave. Për fat të mirë në Durrës u rikthyen por në Superiore, do të duhet kohë derisa leva të ngrihet.

Nga Pirro Bardhyli