Skënderbeu mund Kukësin, tani ka rival kryesor, Kamzën!

Në një ditë të vetme mundi ekipin kampion, e distancoi më tej në renditje, dhe i dha mundësi një kundërshtari shumë më modest në emër që të bëhej rivali i tij kryesor. Skënderbeut i eci mbarë java e 13-të, me suksesin e vështirë, por gjithsesi të merituar 2-1 në Korçë ndaj Kukësit, dhe me Kamzën që është tani në vendin e dytë.

Përballja në stadiumin “Skënderbeu” ishte e fortë, edhe pse me gabime, një takim ku të dyja skuadrat e respektuan njëra-tjetrën si pretendente. Gjithsesi, ekipi i trajnerit Ilir Daja është jo vetëm pretendent, por edhe favorit për titullin, me 31 pikët e fituara deri tani. Golat e Takut dhe Xhejmsit e ndihmuan të tejkalonin një Kukës ambicioz, por jo të qendrueshëm këtë sezon.

Kampionët barazuan përkohësisht me Gurin në fund të pjesës së parë, dhe duhej të kishin kaluar në avantazh po me Gurin në pjesën e dytë. Sulmuesi gaboi, Shehi bëri mrekullinë dhe pastaj erdhi humbja, që e la ekipin e trajnerit Mladen Milinkoviç në vend të tretë me 22 pikë, 9 më pak se korçarët.

Në këtë ndeshje, Daja bëri vetëm një zëvendësim në formacionin bazë, duke lënë pushim sulmuesin kryesor, Soue, tepër të lodhur nga ngarkesa sezonale. Tashmë, Kukësit do t’i duhet të luftojë të paktën për vendin e dytë, që për momentin e mban Kamza. Ekipi i trajnerit Ramadan Ndreu, la pas gabimin e vogël në Kupë, dhe mposhti të njëjtin rival, Teutën, madje në Durrës. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi sulmuesi serb, Stevan Raçiç në pjesën e parë dhe kamzalinjtë u ngjitën në kuotën e 23 pikëve.

Sfidanti.al