Sejdini: “Hallouini ka ditën e maskës, futbolli ka vitin..”

Thonë që Dinamo ka vdekur dhe nuk do të ngjallet më për t’u patur frikë, veç kjo nuk do të thotë se shpirti i saj nuk ndihet në futbollin e sotëm. “Xhaxhi”, ose Faruk Sejdini,  një dinamovit ndryshe, ku rebelimi shnderohet në një arsye për të pastruar gjakun e futbollit, ka hedhur disa pika ilaçi në veshët e atyre që dëgjojnë: “Kampionati ynë është bërë si Hallouini”. Në fakt, festa e maskave ka ditën e shënuar, kurse futbollit i lejohet të mbajë maskë në çdo ditë të sezonit.

“Akrepi”, siç e pagëzonin Sejdinin në kohën e vet, për shkak të këmbëve që dukeshin sikur nuk ishin vetëm dy, kishte një ndërhyrje fatale për sulmuesit, ndaj edhe e shmagnin takimin me të. Në Federatë, sidomos ish-ët që kanë luajtur futboll e mbajnë mend, ndërsa ata që e gjetën gostinë e shtruar, bëjnë sikur nuk e shperfillin thirrjen e tij në ekrane.

“ Ju thoni se ka mbret në FSHF, por Xhaxhi po ju kallzon se nuk ka futboll në fushë”. Është i fundit i mohikanëve , një përkëdheli  e fituar me krenari, dhe  konsiderohet si një specie në zhdukje për brezin e tij, një brez që ka qepur gojën dhe si shpërblim padronët e lojës japin dekorata për të ëmbëlsuar gojën si karamele.