Partizani-Kukësi, ose sikur të mjaftonte vetëm një gjyqtar i huaj!

Partizani ka arritur të fitojë të paktën një betejë në luftën me Federatën Shqiptare të Futbollit, por nuk dihet nëse do të mund ta fitojë luftën. Udhëheqja e “topkambës” pranoi kërkesën e kryeqytetasve për gjyqtar të huaj në ndeshjen tepër të rëndësishme ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi”, dhe arbitri pritet të jetë gjerman.

E qartë që Partizanit nuk do t’ia hajë kush hakun këtë herë, veçse ndeshja ndaj Kukësit, sado e rëndësishme, sërish mbetet një ndeshje dhe ka vlerë 3 pikë. Nëse dyshimet e të kuqve janë me baza, atëherë skenari anti-Partizan mund të realizohet edhe kur në Shqipëri vjen një gjyqtar gjerman.

Skuadra e trajnerit Starova dhe e presidentit Demi është ankuar gjatë gjithë sezonit dhe faktet i japin të drejtë, pasi është dëmtuar më shumë se rivalët në garën për titull. Nëse kjo rrjedhë do të vazhdojë edhe në 4 ndeshjet e tjera pas Kukësit, atëherë Partizani padyshim që rrezikon të mos e fitojë titullin.

Gjithsesi, mbetet që kampionati të fitohet “me dhunë”, së pari duke fituar ndeshjen e nesërme. Nëse ia del, atëherë do të jetë më e lehtë dhe tifozët do të festojnë pas 25 vjetësh. Nëse jo, gjithçka bëhet më e vështirë.

Sfidanti.al