Partizani fiton derbin e shëmtuar, ndërsa për Tiranën e keqja është e pafund!

Ishte dueli i gabimeve dhe i nervave, por rëndësi pati rezultati, që nuk ndryshoi nga tradita e viteve të fundit. Partizani fitoi derbin, siç ka bërë shumë herë thuajse radhazi, duke mos lejuar që Tirana të triumfoi për herë të parë pas 5 vjetësh. Në stadiumin “Selman Stërmasi”, më e bukur ishte koreografia e tifozëve dhe përkrahja e tyre për skuadrat, sesa loja, por për kampionët rëndësi patën tri pikët.

Golat e shënuar në pjesën e parë nga Melo dhe Solomon ishin vendimtarë, edhe pse u shënuan kundër rrjedhës së lojës, ndërsa bardhebluve nuk u mjaftoi reagimi pas pushimit dhe goli i shënuar nga Edon Hasani. Kjo do të thotë se Partizani mbërrin Tiranën e Kukësin, ndonëse të treja skuadrat e quajtura si pretendente kryesore për titull, për momentin jashtë një pikë poshtë Bylisit e Teutës. Gara për trofe duket se do të jetë tepër e fortë këtë sezon.

Çfarë tregoi derbi për dy ekipet kryeqytetase? Edhe pse fitoi, Partizani nuk bindi dhe nuk mund të thuhet se trajneri Lerda e ka ndërtuar ekipin që pretendon. Deri në minutën e 28-të, kur kaluan në epërsi, të kuqtë ishin inferiorë në lojë dhe në raste me kundërshtarin, dhe vetëm fati i ndihmoi. Një Partizan që nuk di të dominojë, dhe që shënon shumë pak, me vetëm 5 gola në 6 ndeshje të Superligës.

Po Tirana? Përkundër pretendimeve dhe cilësive teknike, ekipi i trajnerit Ardian Mema nuk ka ritmin dhe unitetin e Partizanit, sidomos në mbrojtje. Jo vetëm kaq, por siç u pa edhe ndaj Kukësit, tiranasit e kanë shumë të vështirë të përballojnë pësimin e golit, sidomos kur janë përballë rivalëve kryesorë. Nëse kjo nuk ndryshon, do të jetë e vështirë jo vetëm për pretendohet kampionati, por edhe kualifikimi për në Europë.

Po tifozët çfarë note morën? Të shkëlqyer për mënyrën sesi e përgatitën ndeshjen dhe sesi i përkrahën skuadrat, sidomos ata bardheblu që ishin edhe në shumicë dërrmuese. Negativë me sherrin që përpara nisjes. Kështu përfundoi një tjetër derbi, nga i cili të lumtur dolën sërish tifozët e Partizanit, ndërsa ata të Tiranës duhet të harrojnë dhe të mbeten me shpresë për të ardhmen.

Sfidanti.al