Partizani, blerjet e janarit, dështim

Pjesa e parë e sezonit tregoi një skuadër që nuk ishte perfekte, por arrinte të fitonte dhe të mbante kreun për javë të tëra. Një ekip, që në përbërje kishte lojtarë, të cilët luanin prej vitesh së bashku dhe kishin vënë veten mes më të mirëve të Kategorisë Superiore. Për tifozët, asnjëherë nuk është pozitive që klubi të shesë lojtarët kryesorë, por për vetë drejtuesit është objektiv, siç janë edhe trofetë. Financat janë thelbi në ditët e sotme dhe nisur nga ky këndvështrim, nuk mund të konsiderohet si gabim shitja e Carës, Hadrojt, Rrapajt dhe Mbasë. Problemi qëndron diku tjetër.

Largimi i kësaj katërsheje ishte më shumë se i paralajmëruar, ishte i ditur që 1 vit para. Në këtë kuadër, Partizani nuk ka funksionuar në mënyrën sesi duhet të punojë një klub i shëndetshëm dhe i suksesshëm futbolli. Klubi i kuq, pavarësisht se ishte koshient për largimet e pritshme, nuk u përgatit si duhet për këto ikje dhe e la gjithçka në momentin e fundit. Drejtuesit u kujtuan t’i zëvendësonin të larguarit vetëm pasi kishin firmosur shitjet. Koha dhe mundësitë ishin shumë të kufizuara dhe në emergjencë sollën emra si Eleke, Podstrelov, Vujnoviç, Çipi, Atanaskoski a ndonjë tjetër. Fakti është se asnjë prej tyre nuk bëri atë që pritej dhe nuk ndikuan në rritjen e skuadrës. Kjo u reflektua menjëherë në fushë dhe frytet e punës së dështuar të bërë në janar ishin zero trofe.

sfidanti.al