Kur ka ndodhur që Tirana të gjuajë vetëm një herë në portë? Ndaj Kastriotit!

I kishte ndodhur vetëm një herë kështu. Tirana ndaj Kastriotit përsëriti një paraqitje krejt jokarakteristike për të, duke pësuar humbjen logjike 0-1. Kryesuesit e Abisnet Superligës, dominues të plotë të kampionatit të rivalëve, u dukën krejtësisht të lëshuar, pa dëshirë e vullnet përballë krutanëve, dhe u desh të pritej minuta e 83-të për të realizuar gjuajtjen e parë në kuadrat. Edhe ajo ishte pa rrezik, por ishte e para dhe e fundit në portën e portierit Sali. Në pjesën tjetër të 90-minutave, lojtarë si Seferi, Xhixha, Totre apo Limaj thjesht vrapuan në mënyrë të njëtrajtshme në fushë, duke qarkulluar topin pa e tentuar shumë portën. Disa harkime nga krahët, disa goditje nga këndi dhe asgjë tjetër nga ekipi që kishte shënuar 55 gola në 29 ndeshje, gati 2 për ndeshje. Ndaj Kastriotit u pësua humbja e dytë këtë sezon të kampionatit, që do të thotë gjysmat e 4 disfatave gjithsej. Humbjet ndaj Kukësit dhe Laçit ishin krejt të ndryshme, me shumë më tepër luftë, përplasje dhe duele të fituara. Tifozët protestuan në stadium dhe në rrjetet sociale, të pakënaqur me ekipin e tyre që gjithsesi është praktikisht kampion duke pasur 66 pikë ndaj 51 të Laçit, pra 15 pikë epërsi kur mbeten edhe 6 ndeshje, pra edhe 18 pikë në lojë.

Sfidanti.al