Të gjthë e mbajnë mend, se çfarë përgatitje i bënë kuksianët ndeshjes së fundit në kampionat, kur sipas kalendarit do të prisnin në shtëpi Vllazninë. I gjithë ekipi u grumbullua ditë përpara në qytetin që i ka dhënë emrin dhe arsyet ishin mëse të logjikshme. Kukësit i duhej qetësi dhe shpresë për një hap fals në Skënderbeut në Vlorë dhe Partizanit në Gjirokastër dhe meqenëse këto të fundit ndodhën, tashmë është në vendin e parë, me pikë të barabarta me kampionët.
Ndërsa të mërkurën, skuadra e Gjokës duhet të presë në shtëpi Dinamon, për të diskutuar ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Kuksianët e kanë fituar ndeshjen e parë në kryeqytet 0-2 dhe meqenëse takimi i nesërm do të jetë thjeshtë një formalitet, nuk kanë më nevojë për qetësinë dhe përqëndrimin që të garanton Kukësi si qytet. Kështu, drejtuesit kanë vendosur që edhe atë ndeshje ta luajnë në “shtëpinë” e Dinamos, në Pezë Helmës, ndërkohë që kuksianët e mbetur ende në verilindje duhet të presin, për të parë sërish nga afër Kukësin e tyre.