Korabi, një kazan që zien… Poçi: Gjeni një tjetër!

“Korabi ka probleme të brendëshme, të cilat duhet të zgjidhen sa më shpejt. Ndërsa futbollistët nuk po përgjigjen në fushën e lojës, ashtu si edhe një javë më parë në Vlorë”, këto ishin pas ndeshjes, fjalët e trajnerit të skuadrës dibrane, Artion Poçi. Por tekniku i tanishëm, vetëm sa ka përsëritur fjalë për fjalë ato që tha paraardhësi i tij, Artan Mergjyshi, menjëherë pasi i kishte paraqitur drejtuesve të klubit një dorëheqje të parevokueshme. Pra Korabi tashmë është kthyer në çështje dhe nuk flitet më për lojëra të bukura dhe mungesë fati, apo që nuk po gjen golin Sebino Plaku. Në skuadër duket se prej kohësh po punohet pas kuintave, pikërisht në dëm të saj dhe çdo trajner e vlerëson të pamundur për të vazhduar normalisht punën.

Madje aq shumë i kishte ardhur në majë të hundës, saqë Poçi kërkoi që ta zëvendësonin menjëherë, sipas tij me një trajner më me eksperiencë, i cili të marrë përsipër kthimin e situatës tek Korabi, që duket se po degjeneron. Dhe trajneri fierak e ka një të drejtë, pasi ka punë që duan më shumë eksperiencë për t’ia dalë…