Flamurtari fiton edhe me fjalorin: s’ka më “prostituta”, por…çifligari!

Ka për të gjithë presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi. Tashmë, me “shpatën zhveshur” apo me ballin të hapët pasi u dha paratë futbollistëve të tij, administratori i klubit vlonjat është “në të drejtën” e tij të japë vlerësime dhe të bëjë akuza. “Jam i lumtur për fitoren ndaj Tiranës, ndonëse është një fitore e radhës, – tha ai, – habia është që para 15 ditëve unë quhesha një dështak, ndërsa sot jam ndryshe”. Natyrisht, nuk i del inati me Federatën Shqiptare të Futbollit. Idrizi-Duka duket një luftë e shpallur prej kohësh.

“Çifligari ka vendosur të flasë para dhe pas Erës së Re, – sulmon presidenti vlonjat, – Federata vazhdon të veprojë me dy standarde dhe është dashakeqe”. Me siguri, Idrizi duhet ta ketë fjalën për trajtim të dyfishtë që sipas tij i bëhen klubeve të ndryshëm. Përsa i përket privatizimit, numri 1 i Flamurtarit ka akuza edhe për Bashkinë e Vlorës. “Po presim Godonë, – thotë ai për mbledhjen e Këshillit Bashkiak që duhet të hapë procedurat. Veçse, do të privatizojnë vetëm stemën, por pronat e klubit, ndaj unë nuk mund të ndërhyj në stadium apo tek akademia”. Batuta e Idrizit është që “duhet të jemi me këmbë në tokë, por toka qendron në ajër”.

Sfidanti.al